MUNDËSITË PËR INVESTIME NË ZHVILLIMIN E TURIZMIT LOKAL
Në bashkëorganizim me Asociacionin e Komunave të Kosovës, projekti “Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat” (PPSE), i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe i zbatuar nga Swisscontact dhe Instituti Riinvest u organizua Konferenca e Investitorëve: Mundësitë për Investime në Zhvillimin e Turizmit Lokal.
Qëllimi i konferencës ishte promovimi i mundësive për investime në aktivitete turistike në katër komuna: Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan dhe Junik, përmes prezantimit të masterplaneve të investimeve për zhvillimin e turizmit të përgatitura në bashkëpunim me Komunat, me përkrahjen e PPSE dhe Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK).
Duke përshëndetur Konferencën dhe paraqitur planet e tyre komunale të ndërlidhura me këto Master Plane kanë prezantuar z.Imri Ahmeti – Nënkryetar i AKK-së dhe Kryetar i Komunës së Lipanit, z.Besnik Osmani – Nënkryetar i Komunës së Fushë Kosovës, z.Gëzim Kastrati – Drejtor për Transformim në Komunën e Prishtinës dhe z.Sali Shoshi – Drejtor Komunal në Junik.
Ndërsa në fjalën e tij përshëndetëse Drejtori Ekzekutiv i AKK-së z.Sazan Ibrahimi ndër të tjera tha: “Është kënaqësi dhe përgjegjësi e veçantë që t’u drejtohem sot në këtë ngjarje të rëndësishme që na bashkon rreth një qëllimi të përbashkët – zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik përmes turizmit.
Gjatë punës sonë të përbashkët në kuadër të AKK-së dhe me mbështetjen e projektit PPSE të financuar nga SDC dhe implementuar nga Swisscontact, kemi dëshmuar se zhvillimi i turizmit nuk mund të jetë i qëndrueshëm pa një qasje gjithëpërfshirëse dhe koordinim të mirëfilltë mes qeverisjes lokale, sektorit privat dhe partnerëve zhvillimorë.
Sot më shumë se kurrë, komunat kanë nevojë për mekanizma që lidhin kërkesat lokale me kapacitetet dhe investimet e sektorit privat.
Në këtë drejtim, AKK ka ndërtuar një platformë bashkëndarëse, ku informacioni, praktikat e mira dhe nevojat për shërbime turistike do të jenë të qasshme për të gjitha komunat.
Kjo platformë do të jetë një pikë referimi për komunat dhe një dritare për sektorin privat që dëshiron të kontribuojë dhe të investojë në turizëm.
Ne po punojmë gjithashtu për të forcuar kapacitetet e komunave për të hartuar strategji të mirëfillta të turizmit, siç po ndodh aktualisht me disa komuna.
Është koha që të mendojmë për turizmin jo vetëm si një sektor i bukur për promovim, por si një shtyllë e zhvillimit ekonomik lokal, ku çdo komunë ka një rol për të luajtur dhe ku sektori privat duhet të jetë pjesë e pandashme e këtij vizioni” – tha ndër të tjera z.Ibrahimi.
Në këtë Konferencë janë prezantuar në detaje Master Planet për për Gollak: Komuna e Prishtinës, Master Plani për Golesh: Komuna e Lipjanit dhe e Fushë-Kosovës si dhe Plani për Zhvillimin e Turizmit Malor në Junik.
Në këtë ngjarje me rëndësi kanë prezantuar edhe përfaqësuesitë e institucioneve qendrore KIESA, Agjencia e Pyjeve e Kosovës, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Këshilli Kombëtar për Ekonomi dhe Investime.